Site icon Telegrafi

E njohur për rolin e ‘M’ në filmat për James Bondin, Judi Dench do të nderohet me çmimin e karrierës

Judi Dench (Foto: Getty Images)

Aktores britanike, Judi Dench, e cila është e popullarizuar te filmdashësit me rolin e ‘M’ në filmat e James Bondit, do t’i ndahet çmimi për arritje jetësore në festivalin spanjoll të filmit, San Sebastian.

83-vjeçarja, e cila në vitin 1999 e fitoi çmimin Oscar për rolin më të mirë dytësor, më 25 shtator të këtij viti do ta marrë çmimin ‘Donostia’.

Judi Dench (Foto: Getty Images)

Do të jetë hera e parë që aktorja merr pjesë në festivalin San Sebastian, ku do ta promovojë filmin e ri, “Red Joan”, të regjisorit Trevor Nunn.

Në filmin që bazohet në ngjarje të vërtetë, Dench luan rolin e një pensionereje, të cilën befasisht e arreston MI5 nën dyshimin se ka qenë spiune e KGB-së.

Aktorja e njohur e teatrit dhe filmit, në ekranet e mëdha ka debutuar në vitin 1964, ndërsa gjatë karrierës ka bashkëpunuar me regjisorë të njohur, si Kenneth Branagh, Steven Friers, Clint Eastwood e Sam Mendes.

Derek Jacobi, Judi Dench, Kenneth Branagh dhe Michelle Pfeiffer (Foto: Getty Images)

Në fillet e karrierës i kishin thënë se është aktore e mirë, porse kurrë nuk do të arrinte të ishte e suksesshme. Sidoqoftë, ajo ka arritur që t’i demantojë të gjithë kritikët.

Krahas çmimit Oscar, Judi ka fituar dhjetë çmime BAFTA, shtatë çmime ‘Laurence Olivier’, dy Globe të arta dhe një çmim Tony.

Në vitin 1988, Dench është nderuar me titullin ‘Damë’, si kalorëse nderi në Mbretërinë e Bashkuar dhe është bërë anëtare e Shoqatës Mbretërore të Britanisë për avancimin e artit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version