Topi i Artë vazhdon të jetë një temë e nxehtë pasi Real Madridi bojkotoi ceremoninë kur mësoi se Vinicius Junior nuk do të shpallej futbollisti më i mirë në botë sezonin e kaluar.
Në vend të Vinicius, çmimi shkoi për Rodrin e Manchester Cityt.
Mendimin e tij për situatën e ka dhënë edhe Mats Hummels, mbrojtësi gjerman i Romës.
“Ata treguan mungesë respekti pasi nuk fituan në zgjedhje, është paksa një gjë e njëjtë si me Trumpin për mua”.
“Është një gjë e keqe dhe mungesë respekti për të tjerët. Nuk ka dyshim që Real Madridi ka lojtarë që e meritojnë atë çmim, por ka edhe lojtarë të tjerë të shquar të cilët janë në të njëjtin nivel”, deklaroi Hummels në podcastin e tij.
Hummels gjithashtu fitoi një nominim për Topin e Artë me lojërat e tij për Borussia Dortmund, por nga 30 lojtarë, ai përfundoi i barabartë në vendin e fundit me Artem Dovbik.
“Është vendi i fundit më i mirë në botë”, deklaroi gjermani me shaka. /Telegrafi/