Telegrafi

E Ngarkuara me Punë e Republikës së Kosovës, Ines Demiri mbërrin në Izrael

E Ngarkuara me Punë e Republikës së Kosovës, Ines Demiri të enjten ka arritur në Izrael.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një statusi në rrjetin social në Facebook, Dan Oryan, shef i Zyrës për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Izraelit.

“Mirë se vini në Izrael, Ines Demiri”, ka shkruar shkurt Oryan.

Ndryshe në kuadër të marrëveshjes ekonomike Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë në shtator të 2020-s në prani të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, u ra dakord edhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael. Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike ndërmjet të dy vendeve.Kryediplomatja Meliza Haradinaj Stublla dhe homologu izraelit, Gabriel Ashkenazi, në mënyrë virtuale, nënshkruan marrëveshjet për konkretizimin e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimin mes shteteve në fushën e politikës, ekonomisë e tregtisë.  /Telegrafi/