Sot nga njësitet e stacionit policor Qendra në Prishtinë, është arrestuar një person i dyshuar pasi që i njëjti dyshohet që me dhunë dhe nën kërcënimin e armës të ketë dhunuar dhe mbajtur të mbyllur një femër.
“Policia ka pranuar informatën, se në rrugën “Bajram Kelmendi në Prishtinë , saktësisht në një banesë, viktima është duke u mbajtur me dhunë, nga i dyshuari i armatosur.
Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka organizuar operacionin për kapjen e të dyshuarit si dhe lirimin e viktimës, operacion ky që ka rezultuar me sukses me ç’ rast është arrestuar i dyshuari;
A.Mehmeti, mashkull, 45 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.
Në të njëjtën kohë në vendin e ngjarjes nga njësitet policore është gjetur dhe sekuestruar arma;
Revole e tipit C.Z e kalibrit 7.65mm me 7 fishekë, e poseduar pa leje nga i dyshuari, si dhe
një sasi e substancës së dyshuar narkotike ( dyshohet kokainë).
Viktimës së rastit i është ofruar tretmani i nevojshëm mjekësor, ndërkohë që personit të dyshuar pas intervistimit me rekomandimin e prokurorit të shtetit i është shqiptuar masa e arrestit policor prej 48 orësh dhe i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes”, thuhet në njoftimin për media.
Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit po vazhdon hetimin e të gjitha rrethanave të cilat e karakterizojnë rastin me qëllim të sqarimit dhe ndriçimit të tyre. /Telegrafi/