Site icon Telegrafi

E larguan nga puna, kthehet i armatosur dhe vret pesë punëtorë të kompanisë – pastaj edhe veten

Pesë persona janë vrarë gjatë të shtënave masive në selinë e një qendre kryesore të një prodhuesi të birrës në shtetin amerikan të Wisconsin, të kryera nga një ish-punonjës i pakënaqur.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, policia e armatosur rëndë rrethoi një kampus të Molson Coors Brewing Company në Milwaukee pasi një burrë hapi zjarr në orën 2 pasdite me kohën lokale.

Ndërkohë, siç bëhet e ditur, disa qindra punonjës morën mesazhe paniku dhe sinjalizime përmes postës elektronike duke i thirrur ata të fshiheshin pasi sulmuesi – i cili ishte larguar nga puna e tij më parë atë ditë – kishte filluar të shtënat ndaj njerëzve.

“Gjeni një vend të sigurt, të shtëna aktive në kampus”, shkruhej në një nga mesazhet.

Po sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një 51-vjeçar i armatosur ishte pushuar nga puna më herët gjatë ditës dhe “vodhi kartelën” e një bashkëpunëtori, me qëllim që kishte qasje në një depo paketimesh.

Ai më pas hapi zjarr me një armë zjarri, rreth kohës që po ndodhte një ndryshim ndërrimi i punëtorëve të birrës.

Shefi i policisë së Milwaukee, Alfonso Morales, tha se kishte pesë viktima, në atë që është një nga të shtënat masive më të këqija në historinë e Wisconsin. Sulmuesi gjithashtu vdiq nga vetëvrasja.

Më parë, kryetari i qytetit Tom Barrett tha se është i tronditur ndërsa u tha gazetarëve se disa njerëz u vranë në sulm.

“Është një ditë e tmerrshme, e tmerrshme për punonjësit këtu”, tha Barrett në një konferencë për shtyp.

Selia e Molson Coors është një strukturë e madhe ku përfshihen një përzierje e zyrave të korporatave dhe të tjera hapësira të kompanisë në të cilat hapësira punojnë të paktën 600 njerëz. /Telegrafi/

Exit mobile version