Site icon Telegrafi

E la Ronaldon në bankën rezervë, Allegri zbulon pse e mori këtë vendim

Juventusi e ka nisur me barazim edicionin 2021/22 në elitën e futbollit italian Serie A.

Zonja e Vjetër është ndalur në barazim 2-2 në një ndeshje spektakolare në Dacia Arena përballë Udineses.

Bardhezinjtë shënuan në minutat shtesë të ndeshjes me Cristiano Ronaldon, por goli i tij u anulua pas rishikimit në VAR.

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri ka folur për këtë takim ku ka thënë se skuadra e tij ka bërë një ndeshje të mirë, por që kjo ndeshje duhet t’iu shërbejë si një mësim i mirë.

“Në përgjithësi bëmë një ndeshje të mirë, por futbolli i tillë është. Ndonjëherë ndodhin gjëra të papritura. E kishin ndeshjen nën kontroll, por nuk ditëm si të menaxhonim të papriturën. Kjo e sotmja duhet të shërbejë si mësim. Në pjesën e dytë humbëm shumë topa, mbase ishim të lodhur nga vapa, por kurrsesi nuk duhet të pësojmë gola të tillë. Ekipi u mbrojt mirë, por ky barazim le të shërbejë si mësim për ne”, deklaroi Allegri.

Tutje trajneri italian u pyet edhe për lënien në bankën rezervë të Cristiano Ronaldos, duke treguar edhe arsyen se pse e la në bankë.

“Unë fola me Ronaldon, ai është mirë, por duke parë kushtet e të gjithëve, i thashë të qëndronte në stol, për të hyrë pjesën e dytë. Ai e vuri veten në dispozicion të skuadrës, madje arriti të shënonte, por goli u anulua nga VAR-i”.

“Duhet të përmirësojmë kushtet dhe të kuptojmë momentet. Ka shumë ndeshje, të gjitha do të duhet të menaxhohen”, deklaroi trajneri italian. /Telegrafi/

Exit mobile version