Telegrafi

E konfirmon Evertoni: Operacioni i Andre Gomesit ka shkuar jashtëzakonisht mirë

Evertoni ka bërë të diture se operacioni i Andre Gomesit ka shkuar ekstremisht mirë.

Mesfushori portugez e theu këmbën në përplasjen fillimisht që kishte me Son Heung-Min, e që më pas u përplas edhe me Serge Aurierin.

Toffees kanë konfirmuar se Gomes ka kaluar me sukses operacionin dhe se tani do i duhet kohë që të rikuperohet nga lëndimi, duke i falënderuar të gjithë ata që i mbështetën.

“Everton Football Club mund të konfirmojë që Andre Gomes iu nënshtrua operacionit për të riparuar një zhvendosje të frakturës në kyçin e këmbës së djathtë herët në mëngjes dhe procedura shkoi jashtëzakonisht mirë” thuhet në komunikatën e klubit anglez.

“Andre tani do të kalojë ca kohë në spital për t’u shëruar, para se të kthehet në USM Finch Farm për të filluar rehabilitimin e tij nën drejtimin e stafit mjekësor të klubit. Ai pritet të bëjë një rikuperim të plotë”.

Lexo po ashtu Son largohet nga fusha duke qarë kur e kuptoi se çfarë lëndimi të rëndë i shkaktoi Gomesit

“Në emër të Andreit, klubi do të donte të falënderonte të gjithë mbështetësit e Evertonit dhe anëtarët e familjes më të gjerë të futbollit për mesazhet mbështetëse që kemi marrë që nga ndeshja e djeshme”, thuhet më tej në njoftim.

Son nuk kishte arritur që ta përmbante vetën dhe ndihej keq për veprimin e paqëllimshëm që kishte bërë, derisa mbante kokën me duar dhe qante. /Telegrafi/