Analiza e ADN-së e publikuar sot ka vërtetuar që trupi që u masakrua dhe u dogj në Fushë-Krujë është kosovari Xhafer Osmani nga fshati Pestovë i Komunës së Vushtrrisë.
Dyshohet se autori i krimit është një person rreth 35 vjeç, i cili është fiksuar nga kamerat e një karburanti disa metra larg vendit ku u gjet automjeti i djegur.
Nga sekuencat filmike, të regjistruara rreth 2-3 orë para ngjarjes tronditëse vërehet se i dyshuari ndodhej pranë makinës së Xhafer Osmanit, ndërsa ky i fundit qëndronte i lidhur në sedijen e pasme të automjetit, shkruan Gazeta Shqiptare.
Policia ka bërë me dije se automjeti i 57 vjeçarit është futur në rrugicën pranë karburantit rreth orës 10:00 të së shtunës, ndërsa sinjalizimi për zjarrin është dhënë në orën 13:00.
Për të humbur gjurmët autori e ka fshehur automjetin në një zonë më kallamishte dhe më pas e ka djegur atë.
Rezulton se familja e Xhafer Osmanit ka denoncuar zhdukjen e tij, ndërsa deklaruan se ai ishte nisur nga Mitrovica drejt Shqipërisë më 29 prill dhe prej kësaj dite nuk kanë pasur asnjë komunikim.
Motivet e ngjarjes së rëndë nuk dihen ende, por dyshohet se autorët kanë kryer ndaj tij tortura të ndryshme me synim marrjen e ndonjë të dhënë që u ka interesuar. /GSH/