Jonathan David është duke kaluar nëpër një formë të mrekullueshme në elitën e futbollit francez Ligue 1.
Talenti i madh kanadez po shënon vazhdimisht me Lillen dhe ka zgjuar interesimin e skuadrave të mëdha evropiane.
Real Madrid, Chelsea, Manchester City, Juventus e Bayern Munich janë skuadrat e interesuara për kanadezin e talentuar.
E për të ardhmen e lojtarit ka folur agjenti i tij Nick Mavromaras për Radio Canada, duke konfirmuar se për David ky është sezoni i fundit te Lille.
“Qëllimi është të përfundojmë sezonin me Lille, pasi do të jetë sezoni i fundit për të tek ky klub për shumë arsyeje”.
“Mendoj se Liga Premier është një opsion i mrekullueshëm për David, por atij i pëlqen shumë edhe Spanja, pasi ka shumë futbollistë teknikë. Këto dy kampionate janë prioritetet e tij, por nuk përjashtohet as Paris Saint Germain apo klubet e mëdha italiane”, deklaroi Mavromaras.
Agjenti i David ka thënë se për momentin nuk ka asnjë ofertë zyrtare për lojtarin.
“Është normale se shumë klube të mëdha e duan, pasi ai është golashënuesi më i mirë në Ligue 1. Aktualisht nuk ka asnjë ofertë zyrtare, por klubet e interesuara duhet të flasin fillimisht me Lille”, ka thënë Mavromaras.
21-vjeçari deri më tani ka zhvilluar 26 ndeshje këtë edicion me Lille, ku ka shënuar 16 gola. /Telegrafi/