Policia e Kosovës, stacioni në Shtërpcë ka njoftuar se të shtunën rreth orë 22:00 ka pranuar një informatë se në fshatin Sushicë një person, F. D, 21 vjeç posedon një armë gjahu pa leje.
Policia menjëherë doli në vendngjarje dhe sekuestroi armën e zjarrit me 30 fishekë.
“Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, i cili vendosi që rasti të trajtohet në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari u lirua pas dhënies së deklaratës në polici”, thuhet në njoftim.
Policia Rajonale e Ferizajt ka theksuar se mbetet e përkushtuar për sigurinë dhe rendin publik dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë duke raportuar çdo aktivitet të dyshimtë. /Telegrafi/