Pavarësisht se në Borussia Moenchengladbach nuk është pritur mirë vendimi i largimit të Granit Xhakës drejt Arsenalit, skuadra gjermane po përgatit një ndeshje lamtumirëse për yllin shqiptar.
Si kapiten, 23 vjeçari gjatë katër viteve të fundit u formësua si një ndër talentet më të mëdha botërore, pikërisht në klubin e Bundesligës, shkruan “blick.ch”, përcjell albinfo.ch.
Ai u transferua në Arsenal për shumën prej 40 milionë eurove. Shefi sportiv i Gladbach, Max Eberl shpreson që Graniti të marrë pjesë edhe në ndeshjet kualifikuese për në Kupat e Evropës me klubin e tij. Takimi i lamtumirës do mbahet në mes të gushtit, ku rreth 50.000 tifozë do të vijnë në parkun e Borussias. Një ofertë që me siguri do e pranojë edhe Xhaka.
Xhaka është bërë futbollisti më i shtrenjtë në historinë e Zvicrës, madje bindshëm. Ai pritet të udhëheq Zvicrën edhe në kualifikimet e Botërorit, derisa në ndeshjen ndaj Polonisë, ishte figura tragjike, duke mos arritur të shënojë nga penalltia.