Katër nga të arratisurit nga burgu i Gilboa javën e kaluar u kapën në veri të Izraelit gjatë fundjavës nga Njësia Kundër Terrorizmit e Policisë Izraelite.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Zakaria Zubeidi dhe Mahmoud Ardah u gjetën në një parking në fshatin Umm el-Ghanam herët të shtunën, disa orë pasi Yakoub Mohammed Qadri dhe Mohammed Ardah u vendosën në burg të premten mbrëma.
Ndërkohë që dy të tjerë, Munadil Nafayat dhe Iham Kahamji ende mbeten të lirë.
Policia tha se Zubeidi dhe Ardah u gjetën të fshehur nën rimorkio të një kamioni.
#Palestine
6 Palestinian prisoners have successfully escaped #Gilboa‘s Israeli prison after digging a tunnel for nearly a decade.
This isn’t The Shawshank Redemption or Prison Break, this the is Palestinians who sought freedom. pic.twitter.com/hVgRC7tMTt— Adnan (@itsadnank) September 6, 2021
Menjëherë pas arrestimit të Qadri dhe Mohammed Ardah, mijëra palestinezë protestuan dhunshëm në Bregun Perëndimor dhe u përleshën me trupat izraelite të IDF.
Një raketë u lëshua gjithashtu nga Rripi i Gazës dhe u përgjua nga sistemi i mbrojtjes raketore Kupola e Hekurt.
IDF u përgjigj me një sulm ajror kundër infrastrukturës ushtarake të Hamasit.
Sipas raporteve, Qadri dhe Mohammed Ardah u gjetën pasi një banor i Nazaretit i tha policisë se kishte parë dy burra që gërmonin nëpër plehra duke kërkuar ushqim.
Një tjetër banor i tha mediave se Zubeidi dhe Ardah “nuk rezistuan” kur policët i arrestuan.
Ndryshe, autoritetet izraelite kishin nisur një kërkim masiv pasi gjashtë të burgosur palestinezë u arratisën nga një nga burgjet më të sigurta të vendit brenda natës.
Burrat besohet të kenë hapur një tunel nga qelia e tyre gjatë disa muajve që të çonte në një rrugë jashtë mureve të burgut Gilboa.
Dhe siç thuhet më tej, zyrtarët u alarmuan nga fermerët të cilët i vunë re që vraponin nëpër ara. /Telegrafi/