Një adoleshente në Kaliforni humbi njërin sy pasi u sulmua brutalisht nga një i ri, derisa po e mbronte vëllain e kolegut i cili po bulizohej brenda një restoranti.
Bianca Palomera, 19-vjeçe, po punonte në Habit Burger Grill në Antioch, kur pa se katër persona po ngacmonin djaloshin me nevoja të veçanta, transmeton Telegrafi.
Ajo u godit brutalisht në fytyrë nga njëri prej tyre duke tentuar të ndërhyjë – të cilëve u tha se nuk është e drejtë ta bëjnë atë.
“Ai vazhdimisht e shante dhe fyente dhe po i vërsulej. U ngrita në këmbë për ta pyetur se pse po e bënte. Ai më goditi dhe syzet më fluturuan në tokë”, tha ajo.
Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur ndodhi sulmi mbi Biancan, e cila u godit pamëshirshëm në fytyrë.
Pas gjithë kësaj, Bianca u dërgua me urgjencë në spital për trajtim, nga ku kuptoi se ka humbur njërin sy nga goditjet e forta që i kishte marrë.
Në anën tjetër, policia në Antioch deri më tani nuk ka arritur të arrestojë sulmuesit.
E prindërit e Biancas kanë hapur një fond përmes të cilit kërkojnë ndihmë për të mbuluar koston e shërimit. /Telegrafi/