Telegrafi

E goditi me veturë një 49-vjeçar që po lëvizte në trotuar, arrestohet i dyshuari në Ferizaj

Një 54-vjeçar me inicialet F.I është arrestuar mesditën e së mërkurës në Ferizaj, si i dyshuar për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë.

Policia njofton se i njëjti me datën 29.04.2023 në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, e kishte goditur me veturën e tij BMË me targa vendore viktimën V.I të moshës 49-vjeçar, i cili po lëvizte në trotuar, duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Për ndihmë mjekësore fillimisht dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor dërgohet në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, ndërsa gjatë verifikimit të tij rezulton se ishte në kërkim policor me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj me burgim prej 1 viti dhe pas tretmanit mjekësorë dërgohet në vuajtje të dënimit, ndërsa i dyshuari F.I largohet në drejtim të panjohur”, thuhet në komunikatën për media.

Në rast, veç ekipeve të policisë së rendit janë kyçur Njësia e Hetimeve e stacionit të policisë në Ferizaj dhe Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kishin marrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetim dhe në kërkim të të dyshuarit F.I.

“Hetuesit rajonal pas një punëve intensive, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë me datën 03.05.2023 në ora 14:30 në Ferizaj kanë arrestuar të dyshuarin F.I, me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Vrasje të mbetur në tentativë’’, të cilin më pas e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj dhe pas intervistimit të tij nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore”, bëhet e ditur tutje në njoftim. /Telegrafi/