Telegrafi

E godet vetura dhe e tërheq zvarrë, kalimtarët e rastit bashkojnë forcat – rrokullisin veturën për ta nxjerrë çiklistin e ngecur

Një video amatore e filmuar në lindje të Londrës, shfaq momentin kur kalimtarët e rastit bashkojnë forcat për ta rrokullisur një veturë nën të cilën kishte ngecur një çiklist, që ishte goditur nga shoferi i veturës që më pas ishte zhdukur nga vendi i ngjarjes.

17-vjeçari po luftonte me jetë në momentin që ngeci nën veturën Ford Focus, që e tërhoqi zvarrë për disa metra dhe më pas përfundoi i përplasur në rrethojën mbrojtëse të një lokali në Londër, transmeton Telegrafi.

Policia angleze beson se viktima ishte “cak” i dy personave që e kishin goditur me veturë, dhe më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes. E në ndihmë adoleshentit i dolën kalimtarët e rastit që e rrokullisën veturën për ta nxjerrë.

Autoritetet e sigurisë kanë kërkuar ndihmë nga qytetarët, duke u bërë apel që të raportojnë në stacionin më të afërt çfarëdo informacioni që kanë që mund t’i ndihmojë në kapjen e personave që ishin brenda veturës. /Telegrafi/