Site icon Telegrafi

E fshehta prapa humbjes së jashtëzakonshme në peshë të Tyson Furyt: Programi i posaçëm i dietës dhe stërvitjeve

Tyson Fury (Foto: John McCoy/Getty Images/Guliver)

Tyson Fury ka bërë një ndryshim të jashtëzakonshëm në fizikun e tij para superduelit kundër Deontay Wilder që zhvillohet fundjavën që vjen.

Boksieri britanik ka arritur të humbë rreth 60 kilogramë peshë në 12 muajt e fundit, në kuadër të përgatitjeve të tij para meçit ndaj amerikanit, e gjitha falë një programi të kalibruar me kujdes dhe të hartuar nga trajneri i tij për forcën dhe kondicionin, Kristian Blacklock.

Ky ishte Tyson Fury në nëntor 2017 (Foto: Twitter/Anthony Fowler)

Në periudhën e mungesës së tij në sportin e boksit, pesha e 30-vjeçarit u rrit në masë të madhe, mirëpo pas rikthimit në ring, ai filloi të kthehej në formën më të mirë fizike, e sidomos në muajt e fundit, kur kihet parasysh se do të përballet me kampionin e WBC-së.

Sipas Blacklock, i cili e ka këshilluar Tysonin edhe para duelit ndaj Wladimir Klitschkos para tre vitesh, kjo arritje ka qenë një mrekulli.

“Nëse do të thoshit para një viti se ai do të luftonte për titullin e botës brenda 12 muajsh, atje ku ishte dhe me peshën e tij, nuk do të ishte reale. Mirëpo, pasi e bëmë kampin e parë dhe hoqën peshën, atëherë mundësitë janë reale”, ka deklaruar Blacklock për Daily Telegraph.

Kështu duket Tyson Fury tash, nëntor 2018 (Foto: Twitter/TYSON FURY)

Dieta e Furyt në fillim ishte ‘Keto’ – me shumë pak karbohidrate që do të thotë se trupi e djeg yndyrën për energji – që shoqërohej me intensitet të vogël në stërvitje. Që atëherë, sipas Blacklock, fokusimi ka qenë që boksieri të kishte një dietë cilësore sportive, me burime të proteinave organike dhe karbohidrateve, si vezët, peshku, pula dhe lloje tjera të mishit të pasur me proteina dhe me pak yndyrë.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për Tyson Furyn

“Tysoni nuk e pëlqen ushqim vegjetarian, por ne ia dolëm t’i gjenim disa gjëra që duhej. Ka qenë një recetë me gjalpë kikiriku me mish pule që e kemi pasur në kamp dhe ka qenë e preferuara e tij, përgatitur nga shefi i tij i kuzhinës, Tim Alcock. Nëse e shijon ushqimin që të ofrohet, atëherë dieta është shumë më e lehtë”, ka shtuar Blacklock.

Edhe pse humbja në peshë e Furyt ka qenë dramatike, ajo nuk ka qenë e përnjëhershme. “Ka qenë një evolucion, jo një revolucion”, sqaron trajneri i tij për forcën dhe kondicionin duke shtuar se në rastet e dietave të shpejta, krahas yndyrave, humbet edhe masa muskulore edhe lëngjet.

“Çelësi i këtij suksesi është se humbja në peshë ka qenë graduale. Të them të drejtën, gjatë vitit që shkoi, ai nuk ka pasur asnjë ditë të lirë. Ka ushtruar vazhdimisht. Kemi pasur tre kampe stërvitore, por ka qenë sikur të ishte një kam me disa javë me intensitet më të ulët pas meçeve”, ka thënë Blacklock.

Deontay Wilder dhe Tyson Fury (Foto: Mike Stobe/Getty Images/Guliver)

Megjithëse në rastet kur nuk ka pushim, ekziston një rrezik i madh, ai ka thënë se kjo nuk ka ndodhur me Furyn. “Në një botë ideale ne e kemi planifikuar ta arrijmë këtë gjë për 18 muaj. Por, meqenëse procesi ka qenë i butë, nuk ka pasur asgjë për t’u prishur. Ai ka qenë shumë i saktë me dietën dhe mënyrën e tij të jetesës. Në 12 muajt e fundit thuajse nuk ka pirë asnjë gotë (alkool), ka qenë shumë, shumë i kontrolluar. Po të ishte akoma mbi 130 kilogramë, ne nuk do të kërkonim që të ndeshej me Deontay Wilder. Meqë jemi shumë përpara me planin, atëherë nuk ka arsye që të mos e bënim duelin”.

“Në të vërtetë nuk jemi të shqetësuar për peshën e tij lidhur me këtë duel. Në dy meçet e kaluara kemi pasur objektiva të vogla se ku duhej të ishte ai. Për këtë përballje, po e monitorojmë, peshën dhe yndyrën e tij trupore, por po përpiqemi ta bëjmë që të jetë fizikisht i gatshëm për këtë duel. Trupat nuk i fitojnë meçet”.

“Tyson nuk do të duket asnjëherë si Anthony Joshua. Mirëpo, nuk ka nevojë për mënyrën si do të performojë. Tyson është një person shumë i fortë fizikisht, po ashtu është në gjendje shumë të mirë kardiovaskulare. Nuk bën ta vlerësosh librin nga kopertina në aspektin e fizikalitetit”, ka theksuar Blacklock.

Deontay Wilder dhe Tyson Fury (Foto: Julian Finney/Getty Images/Guliver)

Fury njëherësh ka ndjekur një program shumë rigoroz të ngritjes së peshave. Me madhësinë e tij, trajnerët e kanë stërvitur me pesha shumë të rënda deri në 250 kilogramë.

“Porse, njëkohësisht, jemi përqendruar edhe të shpejtësia dhe vrullshmëria. Të gjithë e dinë se Wilder e ka shpejtësinë, prandaj duhet të kesh reflekse. Tyson është i shpejtë dhe nëse i shikon dy duelet para këtij, ka pasur një përparim shumë të madh nga Seferi te Pianeta. Jo vetëm për dukjen e tij, por edhe për shpejtësinë dhe lëvizjet”.

“I kemi përmirësuar shumë më tepër këto cilësi për këtë meç, prandaj ai mund të jetë pakëz më i shpejtë, më i lehtë dhe më i lëvizshëm. Jam shumë i bindur se do ta shohim Tyson Furyn më të mirë që kemi parë ndonjëherë në aspektin fizik”, ka thënë Blacklock.

Tyson Fury dhe Deontay Wilder (Foto: Charles McQuillan/Getty Images/Guliver)

Dueli ndërmjet Deontay Wilder dhe Tyson Fury zhvillohet të shtunën në Los Angeles (mëngjesin e të dielës me kohën tonë) dhe është i vlefshëm për titullin WBC. /Telegrafi/

Exit mobile version