Telegrafi

E fejuara e Luke Perryt flet për herë të parë pas vdekjes së aktorit: Jetët tona u prekën nga një njeri i jashtëzakonshëm

Wendy Madison Bauer dhe Luke Perry (Foto: Getty Images/Guliver)

E fejuara e Luke Perryt, Wendy Madison Bauer, e ka thyer heshtjen pas vdekjes së aktorit hollivudian duke thënë se vitet e kaluara me të, kanë qenë më të bukurat në jetën e saj.

Ylli i njohur nga seriali “Beverly Hills, 90210” dhe së fundmi nga “Riverdale” ndërroi jetë në moshë 52 vjeçare, disa ditë pasi kishte pësuar goditje në tru.

Derisa kolegët, miqtë dhe fansat bënë nderime të shumta në rrjetet sociale, e fejuara e tij qëndroi e heshtur. Megjithatë, tash ka vendosur të flasë.

“Dua ta shpreh mirënjohjen time për të gjithë që shprehën dashurinë e madhe dhe mbështetjen. Tregimet e panumërta për zemërgjerësinë dhe mirësinë e Luke, kanë qenë një burim i madh ngushëllimi në këtë periudhë të vështirë.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Luke Perry

“Njëmbëdhjetë vite e gjysmë të kaluara me Luke kanë qenë vitet më të lumtura në jetën time dhe jam falënderuese që e kam pasur këtë kohë me të. Dua t’i falënderoj edhe fëmijët e tij, familjen dhe miqtë për dashurinë dhe mbështetjen”.

“Kemi gjetur mbështetje te njëri-tjetri duke e ditur se jetët tona janë prekur nga një njeri i jashtëzakonshëm. Ai do të na mungojë shumë”, ka thënë Wendy për revistën People.

Edhe anëtarët tjerë të familjes kanë shprehur respektin dhe dashurinë e tyre për Perryn. Djali i tij, Jack, ka premtuar se do ta vazhdojë trashëgiminë e babait të tij. “Ai ka qenë shumëçka për shumë njerëz. Për mua ka qenë gjithmonë baba”, ka shkruar djali i aktorit.

Edhe vajza e Luke, Sophie,e publikoi një postim emocionues pas kthimit nga Afrika duke thënë se ka marrë dashuri dhe mbështetje të madhe nga të gjithë në këtë periudhë të vështirë. /Telegrafi/