Telegrafi

E drejtoi veturën me shpejtësi 99 km/h ku kufizimi ishte 40, Policia e dënoi me 500 euro gjobë dhe një vit heqje e patent-shoferit 

Policia e Kosovës e ka dënuar një person në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë pasi ka drejtuar veturën me shpejtësi 99 km/h ku kufizimi ishte 40.

Drejtuesi i makinës është dënuar me 500 euro, pesë pikë negative si dhe masa mbrojtëse, një vit ndalim të drejtimit të mjetit me veprim motorik.

“Njësia Rajonale e Trafikut në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, gjatë kontrollit në trafikun rrugor në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë përkatësisht në zonën urbane në Vushtrri, përmes radarit ka identifikuar një veturë e cila ishte duke zhvilluar shpejtësi prej 99 km/h në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 40 km/h.

Sipas dispozitave të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor Nr. 05/L-088, ndaj drejtuesit të automjetit është shqiptuar gjoba prej 500 euro, pesë pikë negative si dhe masa mbrojtëse, një vit i ndalohet drejtimi i mjetit me veprim motorik”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/