Telegrafi

E dorëzoi luftën pas 46 sekondave, Angela Carini i drejtohet me një mesazh kundërshtares Imane Khelif

Boksierja italiane Angela Carini ka thënë se do të dëshironte t’i kërkonte falje kundërshtares së saj Imane Khelif pas trazirave që u shkaktuan pas përfundimit të meçit të tyre të boksit në Lojërat Olimpike në Paris.

Carini e dorëzoi ndeshjen ndaj Khelif pas vetëm 46 sekondave të enjten, duke bërë që një debat i madh të shpërthejë në rrjetet sociale mbi atë nëse boksierja algjeriane duhet të lejohet që të konkurrojë në Lojërat Olimpike.

Khelif është një nga dy boksieret së bashku me Lin Yu-ting të Taiwanit që u lejuan të garojnë në Lojërat Olimpike përkundër faktit se ishin diskualifikuar nga Kampionati Botëror i Boksit për Femra vitin e kaluar pasi dështuan në testin e gjinisë.

Carini ka pretenduar se ajo e ka dorëzuar luftën ndaj Khelif pasi kishte marrë grushtin më të fortë gjatë karrierës së saj.

“Jam zemërthyer. Unë shkova në ring për të nderuar babain tim. Më thanë disa herë se isha një luftëtare, por preferova që të ndaloja për shëndetin tim. Unë kurrë nuk kam ndjerë një goditje si kjo”, kishte thënë Carini.

Tani në një intervistë të dhënë sot (e premte) për Gazzetta dello Sport, Carini ka thënë se do të donte t’i kërkonte falje kundërshtares së saj për sjelljen e saj.

“Të gjitha këto polemika më bëjnë të mërzitur. Më vjen keq për kundërshtaren time gjithashtu. Nëse Komiteti Olimpik ka thënë se ajo mund të luftojë, e respektoj atë vendim”.

Duke diskutuar vendimin e saj për të mos shtrënguar duart me Khelif pas përfundimit të luftës, Carini shtoi: Nuk ishte diçka që e kisha për qëllim ta bëja.

“Në fakt, dua t’i kërkoj falje asaj dhe të gjithëve. Isha e zemëruar sepse Lojërat Olimpike për mua kishin marr fund”.

Boksierja italiane në fund tha se në rast se do ta takonte Khelif përsëri, do ta përqafonte atë dhe do t’i kërkonte falje./Telegrafi/