Site icon Telegrafi

E djathta ekstreme nuk performoi aq mirë sa pritej, thotë Von Der Leyen

Foto: Arkiv

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, thotë se ekstremi i majtë dhe i djathtë nuk kanë dal aq mirë sa pritej në zgjedhjet e BE-së.

“Në të vërtetë, ka një rritje të ekstremit të djathtë dhe të majtës ekstreme. Kemi të dy fenomene. Por, jo aq sa parashikohej. Jo aq sa pritej. E kundërta është rasti. Ne patëm një fitore të fortë, si Parti Popullore Evropiane – kështu që kjo tregon se ju mund të përballoni presionin nga ekstremet dhe të jeni të suksesshëm ndërsa jeni në krye – ne nuk themi se është një qeveri – por ndërsa jeni në krye të përgjegjësisë së Bashkimit Evropian”.

Von der Leyen thotë se do t’i afrohet partive socialdemokrate dhe liberale me të cilat ka punuar më parë për të formuar një shumicë në parlamentin evropian, raporton skynews.

Grupimi i Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë, i cili përfshin partinë e presidentes, Unioni Demokristian, duket se do të ruajë pozicionin si blloku më i madh – shumë më tepër se partitë e ekstremit të djathtë ose të majtë.

“Gjatë gjithë fushatës sime zgjedhore, kam punuar shumë për të ndërtuar një shumicë të gjerë dhe efektive në favor të një Evrope të fortë”, pohoi ajo dhe shtoi “për këtë arsye tani do t’u afrohemi familjeve të mëdha politike që kanë punuar mirë edhe me ne në mandatin e kaluar”.

Ndryshe, tashmë janë zgjedhur 720 anëtarë të Parlamentit Evropian, të cilët përfaqësojnë 27 vende të ndryshme. /Telegrafi/

Exit mobile version