Ambasada e Kosovës në Britani të Madhe ka bërë të ditur se të enjten në mbrëmje në ambientet e Ambasadës në Londër u bë promovimi i librit të shkrimtarit dhe mikut të madh të shqiptarëve, John Hodgson “E ardhmja në të kaluarën: Kujtime të Kosovës”.
Në një postim në Facebook, Ambasada e Kosovës në Britani të Madhe tregon se në vitet 1980-1984 John Hodgson ishte lektor i Këshillit Britanik pranë Degës së Anglishtes në Universitetin e Prishtinës, ku mësoi shqipen dhe iu përkushtua thellësisht gjuhës shqipe.
“Libri i tij ‘E ardhmja në të kaluarën: Kujtime të Kosovës’ shpalos historinë se si shkoi në Kosovë, si e njohu Kosovën, si e njohu gjuhën tonë, popullin, kulturën, e mbi të gjitha urën lidhëse që me anë të përkthimeve ka krijuar mes shqipes dhe anglishtes, me një shqipe të pastër e tejet të këndshme.
Siç u cek nga të pranishmit, tregimet në libër janë një përshkrim i saktë dhe i detajuar i ngjarjeve e rrethanave të zhvilluara (edhe politike) në vitet e 80-ta”, thuhet në njoftim.
Ambasadori i Kosovës, Ilir Kapiti falënderoi autorin dhe të pranishmit të cilët ishin në numër të konsiderueshëm në promovim të këtij libri, ku një pjesë e tyre komentuan edhe përshtypjet e tyre dhe vlerësimet për botimin e këtij libri të prof Hodgson.
Hodgson ka përkthyer vepra të Ismail Kadaresë dhe të Fatos Lubonjës nga shqipja në anglisht. /Telegrafi/