Janë bërë pesë vite që nga vrasja mizore e Abedin Bytyqit, i cili sipas Prokurorisë fillimisht ishte rrahur deri në vdekje e më pas ishte djegur me benzinë.
Motivi i vrasjes sipas aktakuzës ishte gruaja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.
Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori, të akuzuarit dhe përfaqësuesit e palës së dëmtuar, Resmije Bytyqi mohoi akuzën në fjalë.
Para trupit gjykues ajo deklaroi se burri i saj shpeshherë ishte kthyer vonë në shtëpi prandaj zhdukja e tij në ditën kritike nuk kishte ngjallur dyshime tek ajo se diçka e keqe mund t’i kishte ndodhur.
“Unë nuk kam pasë dyshim që është zhdukë Abedini. Pasdite, pas orës 17:00 e kam pyetur djalin tim nëse e ka pa diku babanë. Ai më tha se nuk e kishte pa dhe po shkonte ta shikonte tek lokali i Naimit”, shtoi ajo.
Tutje, e akuzuara tha se ka tentuar të kontaktonte me të ndjerin disa herë gjatë ditës kritike dhe të nesërmen para se të lajmërohej rasti në Polici nga Naimi dhe djali i saj.
Ndërkaq, ky konstatim për avokatin Blerim Mazreku nuk qëndronte. Sipas avokatit, nga ekzaminimi i thirrjeve telefonike nuk ishte regjistruar asnjë thirrje nga Resmije Bytyqi në numrin e tashmë të ndjerit, mirëpo paraqiten thirrjet dhe mesazhet të realizuara në mes të akuzuarës me Reshat Ademin.
Mirëpo, Resmije Bytyqi theksoi se ka tentuar ta thërriste burrin por telefoni i tij ka qenë i ndalur dhe shtoi se Reshat Ademi e kishte kontaktuar për ta pyetur për të ndjerin.
Pretendimit të të akuzuarit Reshat Ademi se Resmije Bytyqi ka dashur ta implikojë Naim Grulajn për zhdukjen e burrit të saj, e akuzuara Resmije Bytyqi iu përgjigj se Naimi dhe Abedini kanë qenë shokë shumë të mirë prandaj edhe ka menduar se ai mund ta dinte vendndodhjen e Abedinit, asgjë më tepër.
Ngjashëm ajo mohoi edhe deklarimin e të akuzuarit Murat Ademi rreth parave për blerjen e armës si dhe synimin e saj për ta angazhuar të akuzuarin Fadil Fetiu për vrasjen e të ndjerit.
“Unë nuk e kam njohur e as nuk kam dëgjuar për emrin e Fadil Fetiut para ditës kritike. Për herë të parë e kam takuar në seancë gjyqësore”, shtoi ajo.
Për shkak të përfundimit të orarit të punës seanca e sotme u ndërpre dhe do të vazhdojë më 19 nëntor.
Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.
Motivi i krimit, sipas Prokurorisë, ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.
Aktakuza e ngarkon edhe Fadil Fetiun për ndihmë në vrasje, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.
Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuaren Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës, dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte duke e rrahur.
Sipas Prokurorisë, më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrisnin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.
Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.
Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.
Për këto pretendime në tetor të vitit 2019, Gjykata e Prizrenit kishte dënuar me gjithsej 57 vite burgim tre të akuzuarit.
Kështu, të akuzuarin Murat Ademi për shkak se në bashkëkryerje mizorisht ka vrarë Abedin Bytyqin, Gjykata i shqiptoi 25 vite burgim, të akuzuarës Resmije Bytyqi për shtytje të vrasjes së bashkëshortit Gjykata e dënoi me 20 vite burgim, e i akuzuari Fadil Fetiu për ndihmë në kryerjen e vrasjes u dënua me 12 vite burgim.
Kurse, i akuzuari Reshat Ademi ishte liruar nga akuza.
Mirëpo, vendimi i Gjykatës së Prizrenit nuk e kishte marrë aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim apo në pikën zero./Kallxo/