Serbi i arrestuar në Hungari për krime lufte në Kosovë, nuk ka pranuar të ekstradohet në Kosovë me procedura të thjeshtësuara. Prandaj ndaj tij do të aplikohen procedura standarde të ekstradimit.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se procedurat standarde kërkojnë më tepër kohë.
“Me vet faktin që ky person nuk ka pranuar procedurat e thjeshtëzuara, atëherë do të aplikohen procedurat e rregullta të ekstradimit. Kjo nënkupton se Ministria e Drejtësisë e Kosovës nga dita që personi në fjalë është arrestuar është e obliguar që brenda 40 ditëve ta dërgojë dosjen për ekstradim ku përfshihet aktakuza”, deklaroi për RTV Dukagjinin Ehat Miftaraj.
Në të kaluarën Hungaria ka ekstraduar dy persona që dyshoheshin për krime luftë në Kosovë.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se nga këta dy persona njëri ishte ekstraduar në Kosovë, tjetri në Serbi.
“Në njërin rast që ishte ekstraduar në Kosovë, prokuroria nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për ta ngritur aktakuzën dhe e kishte liruar. Rasti tjetër që kishte ndodhur nga mesi i vitit 2020 kur një person ishte arrestuar në Hungari, por që ku shtet kishte vendosur ta ekstradojë në Serbi”.
Sipas hulumtuesit të FHD-së në këtë rast gjithçka do të varet sa do të jetë në gjendje Kosova ta bind Hungarinë.
Ndryshe Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se serbi S.S. dyshohet se në periudhën kohore 26 mars deri më 28 maj 1999, ka marrë pjesë aktivisht në kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me krimet e luftës, ashtu që i njëjti ka marrë pjesë në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë, me ç’rast janë 33 persona gjatë sulmeve të kryera në këtë periudhë kohore.
Prokuroria e Përgjithshme e Budapestit njofton se i akuzuari është arrestuar mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.