Aeroplani Boeing 737 MAX i “Lion Air” që u rrëzua në Indonezi të hënën në mëngjes (29 tetor) fluturoi në mënyrë të çrregullt gjatë një fluturimi mbrëmjen e mëparshme, kur përjetoi një “problem teknik”, sipas të dhënave nga faqja e fluturimit në internet FlightRadar24.
Sipas asaj që shkruan “channelnewsasia”, përcjell Telegrafi, pas nisjes nga Denpasar në ishullin e pushimeve të Balit të dielën në mbrëmje, aeroplani njoftoi për ndryshime të jashtëzakonshme në lartësi dhe shpejtësi ajrore në disa nga minutat e parë të fluturimit – përfshirë një rënie prej 277 metra gjatë 27 sekondave kur normalisht do të duhej të ngrihej – përpara stabilizimit dhe fluturimit për në Xhakarta.
Megjithatë, siç thuhet më tej, pilotët mbajtën aeroplanin në një lartësi maksimale prej 8500 metrash lartësi në krahasim me rreth 11 mijë metra lartësi, në të njëjtën rrugë më parë gjatë javës.
Drejtori i “Lion Air”, Edward Sirait, u tha gazetarëve të hënën se një problem teknik kishte ndodhur në fluturimin e një dite më parë, Denpasar-Xhakarta, por që ishte zgjidhur “sipas procedurës”.
Ndërkohë thuhet se edhe dy nga udhëtarët e fluturimit kishin bërë postime në Instagram, duke raportuar se ata kishin qenë të shqetësuar për problemet me sistemin e kondicionimit të ajrit dhe ndriçimin e kabinës, para se aeroplani të nisej.
Gjithsesi, nuk është e qartë nëse problemet e kabinës ishin në ndonjë mënyrë të lidhura me problemet teknike të përmendura nga CEO i kompanisë ajrore.
Fluturimi Denpasar-Xhakarta u ul në orën 10.55 (sipas kohës lokale) të dielën, duke i dhënë inxhinierëve më shumë se gjashtë orë e gjysmë kohë për kontrollime, para se të dërgohej për fluturimin fatal të Xhakarta-Pangkal Pinang në orën 6.20 të hënën.
Megjithatë, në rrugëtimin e radhës, aeroplani u “zhyt” në det disa minuta pas ngritjes nga Xhakarta dhe të gjithë 189 njerëz në bord dyshohet të jenë të vdekur.
Po siç shkruan “channelnewsasia”, FlightRadar24 gjithashtu njoftoi për një shpejtësi dhe lartësi të pazakontë ajrore, në pak minutat që fluturimi JT610 ishte në ajër të hënën.
Fotot e problemeve të dyshuara teknike dhe të mirëmbajtjes pas fluturimit të së dielës kanë qarkulluar në internet, por deri më sot ato nuk janë verifikuar nga linja ajrore apo hetuesit. /Telegrafi/