Site icon Telegrafi

Dyshohet se porositi vrasje me pagesë për 80 mijë euro në Fier, arrestohet Albert Pashaj

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK) ka arrestuar ditën e stome Albert Pashaj, pasi ka porositur vrasjen e Ajredin Beharit për shumën 80 mijë euro.

Bëhet e ditur se për të kryer këtë vrasje Pashaj ka kontaktuar me Henrik Hoxhajn dhe Skerdi Tasen.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 75/2022, të regjistruar për veprat penale të “Vrasje me paramendim”, “Vjedhje me armë”, “Vjedhje me dhunë”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” etj, të parashikuara nga nenet 78/2, 139, 140, 80, 152, 278/1, 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 72 datë 25.06.2023 ka vendosur:

• Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim A. P., i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasja me paramendim”, e kryer per interes, në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, e kryer në dëm të A. B., dy here, (në datat 05.11.2017 dhe 03.04.2019), në qytetin e Fierit, në bashkëpunim me të hetuarit H. H. dhe S. T., parashikuar nga nenet 78/2, 22, 25, të Kodit Penal.

Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 26.06.2023.

Nga hetimet ka rezultuar se, për shkak të konflikteve të vazhdueshme midis vëllezërve A. P. dhe të dëmtuarit A. B., i hetuari A. P., ka vendosur të vrasë shtetasin A. B. në vitin 2017. Për të realizuar këtë qëllim, ai ka kontaktuar të hetuarin H. H., që të kryeje vrasjen e shtetasit A. B. kundrejt pagesës. Shtetasi H. H. pasi ka marrë përsipër të kryejë këtë veprim, ka kontaktuar lidhjen e tij, të hetuarin S. T., me qëllim që vrasjen të kryenin së bashku (H.H. dhe S.T. ndodhen aktualisht të arrestuar). H.H. dhe S.T. pasi kanë rënë dakord për të kryer vrasjen e shtetasit A. B. kundrejt pagesës, kanë siguruar armën e krimit kanë vëzhguar viktimën dhe kanë përcaktuar ekzekutorin i cili do të ishte S. T. në datën 05.11.2017. Për arsye që nuk vareshin nga vullneti i hetuarve H. H. dhe S. T. vrasja e A.B. nuk u arrit të finalizohej, pasi objektivi i ka pikasur menjehere dhe është shtrirë në tokë.

Por porositësi A.P. nuk është ndalur këtu. I hetuari A. P. ka dashur ta finalizojë krimin e nisur në 2017 dhe në vitin 2019 (vrasje e shtetasit A. B.) duke e çuar pagesën në 80.000 euro.

Për këtë arsye, të hetuarit H. H. dhe S. T., riorganizohen, duke gjetur automjetin, armën e krimit dhe pas vëzhgimit të objektivit (A.B.) në datën 03.04.2019, vendosin të vrasin shtetasin atë. Ekzekutor në këtë rast u vendos të ishte H. H., duke qënë se herën e parë i hetuari S.T. nuk e finalizoi me sukses.

Edhe këtë rast për fatin e mirë të viktimës (shtetasit A. B.) krimi nuk u arrit të finalizohej, pasi të hetuarit H. H., pas goditjes së parë ju bllokua arma e llojit automatik kallashnikov. /Telegrafi/

Exit mobile version