Telegrafi

Dyshohet se ka kontrabanduar aksesorë floriri dhe sende të tjera me vlerë, arrestohet 42-vjeçari në Rinas

Një 42-vjeçar është arrestuar nga Policia Kufitare këtë të hënë në Rinas, pasi iu sekuestruan sende me vlerë, aksesorë floriri dhe 14 ora dore të markave të shtrenjta.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kaluan në vijën e dytë për kontroll më të imtësishëm, bagazhet e shtetasit K. H.

Si rezultat i kontrollit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, aksesorë floriri (varëse, byzylykë, unaza dhe vëthë) dhe 14 ora dore të markave të shtrenjta, të dyshuara si të kontrabanduara, pasi 42-vjeçari nuk dispononte faturë të blerjes së këtyre sendeve.

Ai akuzohet për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”. /Telegrafi/