Telegrafi

Arrestohet një biznesmen në Gjilan, dyshohet se fitoi tenderë rreth 2 milionë euro me dokumente të falsifikuara

Një person është ndaluar në Gjilan, pasi dyshohet se ka fituar tenderë në vlerë rreth 2 milionë euro duke prezantuar dokumente të falsifikuara.

Siç njoftohet nga prokuroria, i arrestuari është I.H pronar i kompanisë “Globi M.I”.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit nga Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të dyshuarin me inicialet, I.H., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurorim publik”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria njofton opinionin publik se ekziston dyshimi që, i dyshuari I.H., si pronar i kompanisë “Globi M.I.”, në Gjilan, përmes prezantimit të dokumenteve të falsifikuara ka arritur që ti fitonte tre tenderë në regjionin e Gjilanit, në vlerë rreth 1 milion e 900 mijë euro”, thuhet në komunikatë.

Tutje theksohet se me këto veprime i lartcekuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurorim publik”, të Kodit Penal, për të cilën gjendet nën masën e ndalimit.

Ndaj të njëjtit Prokuroria Themelore në Gjilan, do të vazhdojë me procedurat e mëtejme hetimore. /Telegrafi/