Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Q.D, për shkak të dyshimit për marrje ryshfeti.
Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.
“Me datë 23.05.2021, si person zyrtar, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon përfitim për vete në mënyrë që të veproj në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që pasi i pandehuri Q.D, në mënyrë të kundërligjshme i siguron dokumentet e veturës së palës së dëmtuar, të cilat ia kishte vjedhë dikush, i pandehuri në vend se t’i lajmëroj në polici këto dokumente, ai për t’ia dhënë palës së dëmtuar i kërkon të holla”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, në këtë çështje penale pritet të dëgjohet pala e dëmtuar dhe dëshmitarët andaj, me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikoj në palën e dëmtuar dhe në dëshmitarë, me qëllim të përgatitjes së mbrojtjes në favor të tij e me këtë të pamundësoj vërtetimin e fakteve dhe të pengoj rrjedhë normale të procedurës penale.
Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/