Kur dy astronautë amerikanë u nisën në një mision provë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) më 5 qershor, ata prisnin të ktheheshin në shtëpi brenda pak ditësh.
Por, gjërat nuk shkuan siç duhej.
Në fakt, Barry “Butch” Wilmore dhe Sunita Williams janë ende atje mbi Tokë, gati dy muaj më vonë.
Bëhet e ditur se dyshja – të cilët kanë ngecur në hapësirë – tani përballen me perspektivën e papritur për të humbur plotësisht verën, duke kaluar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në hapësirë.
Wilmore, 61 vjeç dhe Williams, 58 vjeç, fluturuan me një anije kozmike Boeing Starliner në stacion.
Ishte fluturimi i parë i këtij lloji me njerëz në bord dhe ishte një provë për të parë se si funksionon anija e re kozmike përpara se të përdoret rregullisht.
Megjithatë, filluan t’iu shfaqnin probleme. Ato përfshinin rrjedhje në sistemin e shtytjes të anijes.
Pra, ndërsa ata arritën në stacionin hapësinor të sigurtë, tani do t’u duhet një mënyrë alternative transporti për t’u kthyer në shtëpi.
Në një konferencë shtypi së fundmi, zyrtarët e NASA-s thanë se nuk është marrë asnjë vendim për hapat e ardhshëm, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
“Opsioni ynë kryesor është të kthejmë Butch dhe Suni në Starliner”, tha Steve Stich, menaxher i Programit Komercial të ekuipazhit të NASA-s.
“Megjithatë, ne kemi bërë planifikimin e nevojshëm për t’u siguruar që kemi opsione të tjera të hapura”, shtoi ai.
Siç raportohet, një opsion i mundshëm që po shqyrtohet, është bashkimi i dy astronautëve në një mision që është planifikuar të nisë në shtator dhe kthimi i tyre në Tokë me atë mision në shkurt të vitit 2025.
Ai fluturim drejt stacionit hapësinor do të bëhet nga një anije SpaceX Crew Dragon.
Plani fillestar është që katër anëtarë të ekuipazhit të jenë në bord, por dy nga vendet mund të lihen edhe bosh. Ky plan do të nënkuptojë se astronautët do të kalojnë më shumë se tetë muaj – në vend të tetë ditëve – në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.
Nëse përdoret Crew Dragon, anija Starliner do të kthehet në tokë pa asnjë ekuipazh, nën kontrollin e kompjuterit.
Por, zyrtarët e NASA-s thanë se mund të duhet një javë ose më shumë që të merret një vendim përfundimtar.
Ken Bowersox, drejtor i operacioneve hapësinore të NASA-s, tha se shanset për një kthim pa ekuipazh të Starliner “janë rritur pak në bazë të asaj se ku kanë shkuar gjërat gjatë ose dy javëve të fundit”.
“Kjo është arsyeja pse ne po e shikojmë më nga afër atë opsion për t’u siguruar që mund ta trajtojmë”, tha Bowersox.
Ndryshe, përdorimi i një anijeje SpaceX për të kthyer astronautët do të ishte një goditje për Boeing, i cili është përpjekur për vite të tëra të konkurrojë me kompaninë dhe anijen e saj Crew Dragon më me përvojë.
Në fillim të kësaj jave, NASA përdori një raketë SpaceX për të ofruar më shumë ushqim dhe furnizime në ISS, duke përfshirë rroba shtesë për dy astronautët.
Muajin e kaluar, në një konferencë të shkurtër për shtyp, dyshja thanë se ishin “absolutisht të sigurt” dhe Starliner ishte “me të vërtetë mbresëlënës”.
Boeing shpreson që misioni i parë Starliner do të hap rrugën për përdorimin e rregullt të kapsulës për misionet në stacion.
Space X Crew Dragon është miratuar për misionet e NASA-s që nga viti 2020.
Edhe pse astronautët do të kalojnë shumë më tepër kohë në hapësirë sesa kishin planifikuar fillimisht, të tjerët kanë kaluar periudha shumë më të gjata mbi sipërfaqen e Tokës.
Rusi Valeri Polyakov kaloi 437 ditë në hapësirë në bordin e stacionit hapësinor Mir në mesin e viteve 1990.
Vitin e kaluar, Frank Rubio u kthye nga ISS pas 371 ditësh, koha më e gjatë që një amerikan ka kaluar në hapësirë. /Telegrafi/