Telegrafi

Dyshimet për helmim nga uji në fshatrat e Deçanit, reagon Ramush Haradinaj

Foto: Arkiv

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar për rastin e helmimeve të mbi 164 qytetarëve në komunën e Deçanit.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, ka thënë se ka përcjellur me shqetësim situatën e krijuar në Deçan.

Ai ka falënderuar Shtabin Emergjent të Komunës, kryetarin Bashkim Ramosaj, personelin mjekësor dhe teknik të QKMF dhe të gjithë ata që janë të angazhuar në menaxhimin e kësaj situate.

“Përderisa jemi në pritje të raportit zyrtar për shkaqet e këtij helmimi, të gjithë qytetarët që kanë simptoma, ju uroj t’i tejkalojnë sa më shpejt”, ka shkruar Haradinaj.

Lexo po ashtu Drejtori i QKMF-së në Deçan flet për gjendjen e pacientëve që dyshohet se u helmuan nga uji: Vetëm mbrëmë 164 pacientë kërkuan ndihmë

Ndërkaq, qindra qytetarë të Deçanit mbrëmë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në “Adem Ukëhaxhaj”, për shkak të dyshimit të helmimit nga uji i pijes.

Drejtori i QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha në një prononcim për Telegrafin ka thënë se vetëm mbrëmë kanë kërkuar ndihmë mjekësore 164 pacientë.

Lexo po ashtu Dyshimet e helmimit nga uji i pijes në Deçan, Ramosaj ndërpret funizimin me ujë deri të dalin analizat e institutit

Ai shtoi se fillimisht kanë menduar se kjo është si pasojë e temperaturave të larta.

“Kemi menduar se është si pasojë e temperaturave të larta dhe mërgimtarëve që kanë ardhur në këtë periudhë kohore që kanë udhëtuar me makina disa ditë, dhe për neve ka qenë një dyshim normal. Mirëpo gjatë ditës është rrit numri i pacientëve. Ne jemi duke hulumtuar se si ka ardhur deri te kjo situatë”, u shpreh drejtori i QKMF-së në Deçan./Telegrafi.