Ndodh edhe kështu. Pas vetëm tri javësh bashkëpunim, FSHF ka larguar nga detyra e ndërlidhëses për marrëdhëniet me publikun të Kombëtares (enkas për mediat ndërkombëtare) austriaken Karin Vitasek.
Kjo ndërprerje bashkëpunimi mësohet se ka ardhur për shkak të dyshimeve që ka pasur institucioni i futbollit shqiptar për informacionet që austriakja u jepte gazetarëve të huaj në lidhje me skuadrën.
Burime të “Panorama Sport” pranë Kombëtares tregojnë se Karin Vitasek jepte informacione më shumë seç duhej për mediat ndërkombëtare dhe kjo nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit Gianni De Biasi, e gjithashtu drejtuesve të FSHF-së.
Dekonspirimi i disa informacioneve që lidheshin direkt me skuadrën në stërvitje, e veçanërisht te mediat zvicerane, ka bërë që nga dje austriakja të mos jetë më pjesë e stafit që merret me marrëdhëniet me publikun të Kombëtares në rezidencën e përkohshme në Francë.
Në fakt, vetë FSHF-ja nuk e ka prezantuar asnjëherë specialisten e marrëdhënieve me publikun që vinte nga Austria.
Megjithatë, fakti që ajo është shfaqur në konferencat për shtyp pas ndeshjeve ka shtuar kuriozitetin se pse është bërë së fundmi pjesë e Kombëtares.
Vetëm dy ditë më parë, Vitasek ka qenë në sallën e konferencave pas ndeshjes me Zvicrën, duke qëndruar në krah të trajneri De Biazi dhe përfaqësuesit të zyrës për shtyp në institucionin e futbollit, Tritan Kokona. Austriakja kishte një kontratë të përkohshme, por dyshimet e fundit të drejtuesve të FSHFsë bënë që marrëveshja të ndërpritej para kohe.