Site icon Telegrafi

Dyshime për shit-blerje të votës, arrestohen dy persona në Malishevë

Dy persona janë arrestuar sot në Malishevë, nën dyshimet për shit-blerje të votës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar komandanti i policisë për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.

Graishta ka bërë të ditur se të arrestuarit janë një vëzhgues dhe një komisioner.

“Janë arrestuar një vëzhgues dhe një komisioner në qendrën e votimit në gjimnazin “Hamdi Berisha” nën dyshimet për shit-blerje të votës. Me urdhër të prokurorit të njëjtit pas arrestimit janë ndaluar për 48 orë”, ka thënë Graishta.

Lajmin e ka bërë të ditur edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Me urdhër të prokurorit të Shtetit, Policia e Kosovës ka ndaluar dy (2) persona në Komunën e Malishevës, për veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 214 i KPRK-së. Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se dy (2) të arrestuarit janë një (1) vëzhgues dhe një (1) komisioner nga qendra e vendvotimit në gjimnazin “Hamdi Berisha” nën dyshimet për shitblerje të votës. Me urdhër të prokurorit të Shtetit, të njëjtit janë në ndalim”, thuhet në njoftim.

Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore, në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit, andaj inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për ç’do rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor. /Telegrafi/

Exit mobile version