Lajmi se Conor McGregor është pensionuar nga UFC i ka befasuar tifozët e MMA-së. Nuk ka dyshim se irlandezi për vite të tëra ka qenë një nga yjet më të mëdha të këtij sporti duke krijuar një imazh personal me ndikim në artet e përziera marciale.
Mirëpo, ka të tillë që dyshojnë në çiltërsinë e deklaratës së 30-vjeçarit për t’u tërhequr nga ky sport luftarak, duke qenë se diçka të ngjashme, ai ka bërë edhe në të kaluarën.
McGregor kishte postuar një njoftim të ngjashëm në vitin 2016 si reagim ndaj UFC-së që e kishte tërhequr nga ‘UFC 200’, pasi kishte refuzuar të bënte një turne mediatik për atë eveniment. Asokohe, Conor nuk u pensionua në të vërtetë dhe ishte ylli kryesor i UFC 202, vetëm disa muaj më pas.
Diçka të ngjashme, ai kishte thënë një javë më parë, duke theksuar se ishte në bisedime me UFC-në për një rikthim në muajin korrik dhe dukej punë e kryer rimeçi me Khabib Nurmagomedov. Porse, ai ka dashur përfitime të mëdha nga organizata, gjë që duket se nuk është pranuar.
Është shumë e mundshme që McGregor po e shfrytëzon edhe një herë ‘pensionimin’ si një metodë për t’u bërë më i rëndësishëm – shkruan MMAFighting.
Por, ekziston edhe opsioni i të vërtetës se Conor ka vendosur se në vend të goditjeve në kokë, t’i shfrytëzojë mundësitë tjera luksoze në karrierën e tij për të fituar para. /Telegrafi/