Telegrafi

Dyshime për pastrim parash, Policia e Kosovës dhe e Gjermanisë kryejnë bastisje të përbashkët në disa “Call Center” në Kosovë

Policia e Kosovës (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Policia e Kosovës së bashku me policinë e shtetit të Gjermanisë, kanë nisur sot një aksion bastisjesh në disa lokacione në Kosovë, pas dyshimeve për pastrim parash.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Ju konfirmoj se, sot nga ora 11:00, Policia e Republikës së Kosovës, respektivisht Sektori për hetimin financiar në kuadër të Drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në bashkëpunim me Policinë e shtetit të Gjermanisë, kanë në proces të realizimit një operacion të përbashkët, nën mbikëqyrje nga një prokuror special vendas dhe një prokuror gjerman, i cili operacion ka për qëllim gjetjen e dëshmive me qëllim të vërtetimit të veprës penale që ndërlidhet me “Pastrim të parave””.

Hoxha bëri të ditur se operacioni i referohet zbatimit të urdhëresës  së lëshuar nga gjykata kompetente për kontroll/bastisje në gjashtë (6), lokacione në dy qytete, në Prishtine dhe Ferizaj, dhe se pas përfundimit të bastisjeve do të bëhen publike rezultatet e tij.

Gjithashtu dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar opinionin se në bazë të kërkesës për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare, Prokuroria Gjermane e Landit Saarland, bashkërisht me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, janë duke kryer bastisje në disa qendra të quajtura “Call Center” në qytetin e Prishtinës dhe të Ferizajt, me qëllim të zbulimit të fakteve dhe provave për vepra të mundshme penale.

Sipas njoftimit, Prokuroria e Landit Saarland të Gjermanisë, ka filluar hetimet në drejtim të veprës penale “Mashtrim” të Kodit Penal gjerman, dhe aksioni është duke u zhvilluar në disa shtete të Evropës, pjesë e së cilës është edhe Kosova.

Po ashtu, Prokuroria Speciale e Kosovës, njofton se nëse zbulohen faktet konkrete do të fillojë hetimet ndaj pronarëve të këtyre qendrave në territorin e Republikës së Kosovës, në drejtim të veprës penale “Shpëlarje parash”.

Në njoftimin e bërë për media nga Prokuroria Speciale, thuhet se detajet më të hollësishme do të bëhen publike pas përfundimit të operacionit. /Telegrafi/