Kuvendi i Republikës së Kosovës akuzohet nga një kompani ndërtimore të ketë bërë shkelje ligjore në një tender që peshon 650 mijë euro, për renovimin e ndërtesës së Kuvendit, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo akuzë është për një tender i cili është proceduar gjatë kohës sa Kuvendi ka qenë pa zot shtëpie, pasi që nga muaji maj nuk ka kryetar të Kuvendit.
Kuvendi pas një procedure të gjatë me shumë akuza, për shkelje ligjore edhe nga vetë zyrtarët e Kuvendit, e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Tekno Ing Consulting” për një ofertë prej 654 mijë eurosh, shkruan Koha Ditore
Por pronari i kompanisë Ermefa, Faik Hoti, thotë se kompania e tij ka qenë e përgjegjshme dhe ka ofertuar me çmimin më të lirë – 631 mijë euro. Ai dyshon se Kuvendi i Kosovës ia ka ndryshuar dosjen e tenderit kopje me qëllim të eliminimit të tij nga procedura e prokurimit.
Ai e ka akuzuar komisionin se e ka bërë hapjen e ofertës së tij në mënyrë të kundërligjshme pasi nuk kishte qenë ky i pranishëm me rastin e hapjes.
Kurse Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit, thotë se hapja e ofertave nuk ka bërë shkelje ligjore. /Telegrafi/