Telegrafi

Dyshime për atentat nga grupi i Laert Haxhiut, merret në mbrojtje prokurorja e SPAK

Foto: Ilustrim

Klan News raporton se prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu, është marrë në mbrojtje nga institucionet pas dyshimeve se grupi i Laert Haxhiut do të kryente atentat ndaj saj.

Sipas të njëjtave burime, është njoftuar Policia e Shtetit dhe Këshilli i Prokurorisë që të përcaktojnë mbrojtjen për prokuroren dhe familjen e saj. Sipas gazetares Daci, Musabelliu është prokurorja e cila ka në dorë dosjen e Laert Haxhiut për atë që njihet si “masakra e Lushnjes”.

Në këtë ngjarje të rëndë, në Shtator të vitit 2017 u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha. Për këtë çështje në shkallë të parë është dënuar me burgim të përjetshëm Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi.

Laert Haxhiu ndodhet i burgosur në Greqi. I konsideruar si person i shumëkërkuar nga policia shqiptare, ai u kap në Janinë në Maj të këtij viti.

Haxhiu po lëvizte me një makinë BMW, kur u arrestua nga autoritetet atje, së bashku me dy shqiptarët e tjerë. Por përpara se të viheshin në pranga, ata tentuan t’i iknin policisë greke. Gjatë kësaj kohe përplasën të paktën 3 makina të tjera e më pas përfunduan duke goditur edhe një bordurë. Krahas arrestimit, policia u gjeti 3 shqiptarëve dhe 1400 Euro.

Laert Haxhiu ishte në kërkim që prej vitit 2017, kohë kur u dënua fillimisht nga Gjykata e Lushnjes me 18 vjet burgim për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, si autor i një ngjarje në 2016 ku mbetën të plagosur dy persona.

Ngjarje kjo që si zanafillë ka hakmarrjet që lidhen me konfliktet e vjetra të bandës së Lushnjes. Sakaq Haxhiu gjithashtu rezulton person i përfshirë edhe në çështje të trafikut drogës në Shqipëri dhe i dënuar nga Gjykata e Durrësit.

6 vrasje, 5 shpërthime me tritol, grabitje me dhunë dhe 3 tentativa për kryerje vrasjesh janë zbardhur nga Policia e Shtetit falë të penduarit, Artan Tafani. 39-vjeçari është anëtar i grupit të Laert Haxhiut, kundërshtar i Aldo Bares dhe ka zbuluar 19 ngjarje të rënda kriminale.

Tafani u arrestua para një jave për vjedhjen e 30 mije eurove në një pikë të këmbimit valutor në zonën e Astirit, krim i ndodhur para 3 muajsh./tvklan.al