Roma e ka mposhtur Juventusin në derbin e xhiros në elitën e futbollit italian Serie A.
Giallorosët triumfuan me rezultat minimal 1-0, falë një goli të shënuar nga Gianluca Mancini në minutën e 55-të të ndeshjes.
Por pas ndeshjes tifozët e Juventusit akuzuan ish-yllin e tyre Paulo Dybalan për festë të tepruar sipas tyre.
Megjithatë sulmuesi argjentinas i cili është shumë i lidhur me tifozët e Zonjës së Vjetër u ka dhënë atyre një sqarim përmes aplikacionit ‘Telegram’.
“E di që kjo është e vështirë për ju dhe është edhe për mua. Megjithatë, unë tani luaj për një klub tjetër dhe me bashkëlojtarë të tjerë, dhe më duhet t’i respektoj ata”.
“Nuk është asnjëherë e lehtë të fitosh dhe për ne, ishte shumë e rëndësishme. Respekti nuk do të mungojë kurrë, mos e lejoni veten të mashtroheni nga rrjetet sociale”, u ka shkruar Dybala tifozëve torinez.
Kujtojmë që Dybala po kalon sezonin e tij të parë te Roma pas shtatë viteve të kaluara te Juventusi.
29-vjeçari është lojtari kryesor i Romës ku në 25 ndeshje zyrtare ka realizuar tetë gola e ka asistuar në shtatë të tjerë. /Telegrafi/
Dybala te amo https://t.co/QR41gEhGyR
— Gio🐺 (@weirdgio) March 5, 2023