Përkundër mungesës në humbjen e Romës nga Atalanta për shkak të një problemi muskulor, Paulo Dybala ka udhëtuar drejt Amerikës për t’iu bashkuar ekipit të Argjentinës dhe mund të kthehet pak ditë para ndeshjes kyçe ndaj Interit.
28-vjeçari pati një problem me muskulin fleksor gjatë nxehjes para sfidës së fundjavës dhe nuk arriti të përfshihej në takim.
Shumëkush – në mesin e tyre edhe Jose Mourinho – priste që sulmuesi të qëndrojë në kryeqytetin italian për t’u rikuperuar gjatë pushimit të ligave për ndeshjet e përfaqësueseve. Megjithatë, ai ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara për t’iu bashkuar kampit argjentinas.
Në bazë të një njoftimi të Gianluca Di Marzio, Dybala do të qëndrojë me Argjentinën deri më 23 shtator kur do t’u nënshtrohet ekzaminimeve të reja mjekësore dhe nëse gjithçka është në rregull, do të mbetet me Albicelestët deri më 27 shtator, kur ata zhvillojnë miqësoren ndaj Xhamajkës.
Nëse ndodh kjo, ‘La Joya’ nuk do të kthehet në Itali së paku deri më 28 shtator dhe një ditë më pas do të përfshihej në stërvitje me Romën. Në këtë mënyrë, do të ishte në dispozicion të Giallorossëve vetëm 48 orë para derbit në Serie A ndaj Interit që zhvillohet më 1 tetor. /Telegrafi/