Telegrafi

Dybala gëzon Mourinhon dhe Romën, i gatshëm për Feyenoordin

Roma ka marrë lajme të mira nga ylli i skuadrës Paulo Dybala i cili ka kaluar lëndimin.

Sulmuesi argjentinas pati një zgjatje në ndeshjen e parë ndaj Feyenoordit dhe u largua vetëm pas 20 minutave lojë.

Edhe pse pritej të qëndronte disa javë jashtë fushave, Dybala është rikthyer më shpejtë se sa kanë menduar të gjithë.

Në stërvitjet e mëngjesit të ditës së marte, sulmuesi argjentinas ka qenë në fushë dhe ka stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës.

Kësisoj trajneri portugez i Romës, Jose Mourinho do ta ketë në dispozicion për të enjten, ku Roma zhvillon ndeshjen e kthimit çerekfinale ndaj Feyenoordit.

Përpos Dybalas në ndeshjen e parë u lëndua edhe Tammy Abraham, por ai u rikthye të dielën ku shënoi edhe gol ndaj Udineses.

Roma ka humbur ndeshjen e parë në Holandë me rezultat minimal 1-0 dhe synon të bëj rikthimin për të kaluar në gjysmëfinale të Ligës së Evropës. /Telegrafi/