Real Madridi tashmë e ka vënë njërën dorë mbi titullin e La Ligas për sezonin 2019/2020 në kampionatin spanjoll.
Kur kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar, Los Blancos ndodhen katër pikë përpara përcjellësit të parë, Barcelona dhe kanë nevojë vetëm edhe për dy pikë në dy xhirot e ardhshme që të shpallen kampionë.
Kjo do të thotë se edhe nëse të zgjedhurit e Zinedine Zidane luajnë baras ndaj Villarrealit (16 korrik) dhe Leganes (19 korrik), ata do t’i gëzohen titullit – pasi që Blaugranët mund të arrijnë maksimum prej gjashtë pikësh me fitore ndaj Osasunas dhe Deportivo Alavesit – ndërsa me pikë të barabarta kampion shpallet Reali për shkak të rezultateve më të mira në përballjet direkte.
Porse Mbretërit mund të shpallen kampionë që të enjten mbrëma në rast se fitojnë ndaj Villarrealit në Estadio Alfredo Di Stefano, pavarësisht rezultateve të Barcelonës.
Nëse ndodh që Reali të humbë në përballjen ndaj Nëndetëses së Verdhë, atëherë do ta ketë mundësinë e fundit që të fitojë ndaj Leganes të dielën dhe përsëri të shpallet kampion.
Barcelona mbetet akoma në garë për titull dhe për t’u shpallur kampion, duhet t’i fitojë dy ndeshjet e mbetura dhe të shpresojë në mrekulli: Që Los Blancos t’i humbin dy ndeshjet e mbetura apo njërën ta humbin dhe njërën ta barazojnë. /Telegrafi/
A mund të ndodhë befasia në La Liga dhe Real Madridi ta humbë titullin? Na tregoni në hapësirën për komente.