Janë bërë dy vjet prej kur qytetarët e Kosovës votuan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, zgjedhje këto që prodhuan krizë 6 mujore.
Njëherë LDK-Vetëvendosje, AAK-ja e Nisma kundër PDK-së e pastaj Vetëvendosje, AAK-ja e Nisma kundër PDK-së e LDK-së. As pas dy vjetësh, gjendja nuk është më stabile.
Inatet mes pushtetit e opozitës vetëm sa janë rritur e bashkë me të edhe gjuha degraduese.
Opozita e akuzon direkt Isa Mustafën për tradhti, duke ia zgjatur, siç thonë, jetën në pushtet dikur Hashim Thaçit, e tash Kadri Veselit.
Derisa partitë në pushtet përditë krenohen me të arriturat e koalicionit, opozita thotë se tashmë gjithçka ka degraduar në Kosovë. Vetëvendosje thotë se ky pushtet është vazhdimësi e atij të Hashim Thaçit, që sot është president, por vetëm me fytyra tjera. Edhe AAK-ja konsideron se për dy vjet Kosova veç është fundosur e është dorëzuar para Serbisë, raporton KTV.
Ndërkohë, Albert Krasniqi nga KDI-ja tha se për dy vjet, Kuvendi ka bërë punë efektive veç 6 muaj. Ai tha se për këtë periudhë pati ngecje të mëdha, prandaj ato do ta kenë edhe koston e vetë politike.
Më 8 qershor 2014, Partia Demokratike e Kosovës doli si partia e parë fituese e zgjedhjeve, e kjo i bëri bashkë partitë tjera shqiptare në një bllok që synuan PDK-së t’ia marrin pushtetin.
Ramush Haradinaj synonte të bëhej kryeministër e Isa Mustafa njëherë kryeparlamentar e më vonë president i shtetit. Madje Mustafa në seancën e 17 korrikut të vitit 2014 u zgjodh kryetar i Kuvendit, pa PDK-në në sallë, por që Gjykata Kushtetuese e shpalli kundërkushtetuese zgjedhjen e tij.
Përpjekjet e bllokut VLAN vazhduan deri në mesin e nëntorit, deri kur Isa Mustafa vendosi që t’i shkonte Hashim Thaçit përkrah në Qeveri.