Policia e Kosovës njofton se gjatë ditës së martë janë raportuar dy raste të dhunimit në Gjakovë.
Sipas njoftimit, njëri rast ka ndodhur rreth orës 13:00, kur një vajzë ka raportuar se dy persona të maskuar me dhunë e kanë futur në veturën e tyre dhe e kanë dhunuar seksualisht.
“Gjakovë 04.10.2022 – 13:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se dy persona të dyshuar të maskuar me dhunë e kanë futur në veturën e tyre dhe kanë dhunuar seksualisht. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në raportin policor.
Pas hetimeve të zhvilluara është identifikuar një i dyshuar dhe i njëjti është arrestuar. Me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndërsa, rasti tjetër ka ndodhur rreth orës 18:05, kur një vajzë ka raportuar se një person me dhunë e ka futur në veturën e tij dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
“Gjakovë 04.10.2022 – 18:05. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar me dhunë e ka futur në veturën e tij dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj”, thuhet tutje në raport.
I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, pas intervistimit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/