Në mëngjesin e sotëm në Prishtinë, në Rrugën “Fehmi Agani”, nga të shtënat me armë zjarri janë plagosur dy persona.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. “Me datë 09.04.2017 rreth orës 03:30 ne rr. ”Fehmi Agani” ne Prishtinë ka pasur te shtëna me arme zjarri ku si pasoje e te shtenave lëndime kane pësuar 2 persona”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Hoxha tha se të dyshuar në këtë rast janë tre persona të cilët dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë të tipit ‘BMW’ me ngjyrë të zezë dhe gjatë largimit me veturën e lartëpërmendur, në lëvizje kanë bërë dëmtime edhe të tri veturave të tjera.
Njëri nga viktimat ka marrë lëndime nga arma e zjarrit në kraharor dhe në dorë i cili është dërguar në QKUK dhe është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa viktima tjetër ka marrë gërvishtje, të cilat dyshohet të jenë poashtu nga arma e zjarrit.
Hoxha më tej tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja. “Në lidhje me rastin janë njoftuar njesitë e hetuesisë rajonale dhe të teknikës kriminalistike të cilët kanë bërë ekzanimimin e vendit të ngjarjes si dhe hetime intensive janë në proces nga njesitet kompetente policore”.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe në konsultim me të rasti inicohet “Vrasje në tentativë dhe dëmtim prone”./Klan Kosova/