Site icon Telegrafi

Dy të dyshuar rrahin një person në Pejë, e bëjnë për spital

Një person është rrahur nga dy të dyshuar sot rreth orës 13:33 në afërsi të Gjykatës Themelore në Pejë.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Gashi tha se personi i lënduar është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, për tretman mjekësor.

Sipas tij, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa pas pak kohe të njëjtit janë arrestuar dhe janë duke u intervistuar.

“Rreth orës 13:33 policia është njoftuar se në afërsi të Gjykatës Themelore në Pejë në rrugë është një rrahje. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka takuar viktimë e lënduar. Një person i lënduar është dërguar për tretman në spitalin rajonal të Pejës. Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, mirëpo pas pak kohe janë arrestuar dhe të njëjtit po intervistohen nga hetuesit policorë”, tha Gashi.

Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka thënë për Telegrafin se aktualisht të pandehurit janë duke u intervistuar nga hetuesit policorë.

Ai po ashtu tha se ata më pas do të ndalohen me urdhër të prokurorit të shtetit për 48 orë.

“Dy persona janë arrestuar, ndërsa i lënduari është dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal të Pejës. Aktualisht personat e pandehur janë duke u intervistuar nga hetuesit policorë ku më pas do të ndalohen me urdhër të prokurorit të shtetit për 48 orë dhe do të merren masa ligjore ndaj tyre”, ka thënë Nikçi. /Telegrafi/

 

 

 

 

Exit mobile version