Telegrafi

Dy të arrestuar për trafikim me njerëz

 

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore me njësitet e saja në Gjakovë, ka realizuar një operacion policor në një fshat të Gjakovës, me ç’rast ka bërë arrestimin e dy personave të dyshuar për ‘trafikim me njerëz’, si dhe ka identifikuar dy viktima të trafikimit.

Të dyshuarit e arrestuar në këtë rast janë: Xh.K dhe F.K.

Të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale ‘trafikim me njerëz’ dhe ‘shërbime seksuale të viktimës së trafikimit’.

Me këtë rast dy viktimat e trafikimit, pas intervistimit në prezencë të mbrojtësit të viktimave dhe në prezencë të zyrtarit për shërbime sociale, janë dërguar në qendrën për trajtim të viktimave.

Me vendim të prokurorit kujdestar personat e arrestuar janë dërguar në qendrën mbajtjes. /Telegrafi/