Telegrafi

Dy të arrestuar në Gjakovë për numër të madh të vjedhjeve 

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës për rajonin e Gjakovës ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona të dyshuar për kryerjen e një numri të madh të vjedhjeve.

Personat e arrestuar janë: E.D 1984,shtetas i Serbisë dhe Sh.K 1985 shtetas i Kosovës.

Të njëjtit janë arrestuar mbi bazën e dyshimit që në mënyrë sistematike që nga viti 2018 e deri më tani kanë kryer disa vepra penale kundër pasurisë si ‘vjedhje’ dhe ‘vjedhje të rënda’. Cak i tyre kanë qenë kryesisht shtëpitë dhe objektet tjera përcjellëse, duke vjedhur kështu pasuri të ndryshme të luajtshme.

Deri më tani janë zbuluar 36 vepra të ndryshme penale për të cilat janë ushtruar kallëzime penale policore dhe janë sekuestruar prova të ndryshme materiale të cilat do të dorëzohen në prokurori.

Personat e dyshuar janë proceduar në prokurori dhe ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit. /Telegrafi/