Telegrafi

Vazhdon gjendja e rënduar e gruas shtatzënë, të infektuar me COVID-19

Trendi i rritjes së rasteve me COVID-19 në vend është duke vazhduar ndërsa vetëm në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 807 raste të reja, derisa numri i viktimave ka arritur në 874.

Po ashtu, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë duke u trajtuar edhe dy gra shtatzëna, me COVID-19.

Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu i cili tha se njëra nga gratë shtatzëna është në gjendje më të rënduar shëndetësore.

“Ju konfirmojmë se  dy gra shtatzëna po trajtohen në Infektive, njëra me gjendje stabile, përderisa njëra në gjendje më të rënduar në repartin Intensiv të klinikës”, ka thënë Fazliu.

Zëdhënësi i QKUK-së tutje theksoi se stafi shëndetësorë po bën maksimumin e mundshëm për të ju ofruar ndihmën e nevojshme, dy grave shtatzëna.

“Stafi shëndetësorë po bën maksimumin e mundshëm për të ju ofruar ndihmën shëndetësore”, ka thënë ndër të tjera, Fazliu për Telegrafin.

Ndryshe, numri total i rasteve pozitive është 32.022 raste nga 125.792 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 874 raste të vdekjes.