Site icon Telegrafi

Dy rikthimet e Kombëtares së Shqipërisë, Broja dhe Uzuni flasin për mediat: Ndaj Izraelit luajmë vetëm për fitore

Kombëtarja Shqiptare është rikthyer në Shqipëri ditën e djeshme, duke nisur menjëherë përgatitjet stërvitore për sfidën e radhës ndaj Izraelit. Armando Broja dhe Myrto Uzuni, dy sulmuesit kuqezi që nuk kanë qenë në ndeshjen në udhëtim ndaj Islandës kanë folur këtë të mërkurë në konferencën për media për këtë sfidë të dytë, e vlefshme për Ligën e Kombeve, që do të luhet më 10 qershor në stadiumin “Air Albania”, në ora 20:45.

Broja, i cili i është bashkuar Kombëtares në stërvitjen e djeshme konfirmoi gjendjen e mirë dhe është rikuperuar për sfidën e radhës të Shqipërisë ndaj Izraelit. Sulmuesi kuqezi u shpreh se skuadra kuqezi mund të bëjë më shumë, ndërsa dha edhe një mesazh për tifozët kuqezi.

Gjendja fizike – Fizikisht jam mirë. Kam pasur Covid në përfundim të sezonit me Southampton, por tanimë jam rikuperuar. Kam bërë stërvitje të personalizuar në Angli këto ditë dhe jam mirë. Pardje erdha, bëra stërvitje me ekipin dje dhe jam mirë.

Sa do të ndryshojë skuadra me Brojën dhe Uzunin? – Se di, e bën trajneri ekipin. Unë e pashë ndeshjen nga jashtë dhe kemi luajtur mirë, por mundemi edhe më shumë si ekip. Kundër Izraelit do të jetë edhe më e vështirë, por unë mendoj se do bëjmë maksimumin dhe uroj të marrim 3 pikë.

Biseda me trajnerin Reja – Kemi folur me trajnerin kur erdha këtu dhe më pyeti se si jam fizikisht. Në fund të fundit, ai është trajneri dhe ai e zgjedh ekipin. Nëse më zgjedh, do bëj maksimumin, për pjesën tjetër do shohim.

Performanca në Angli me ekipin – Unë them se performancat e mia nuk ishin shumë të mira në përfundim të sezonit, po edhe si ekip kemi rënë pak. Nuk është justifikim, por jemi munduar të japim maksimumin.

Presion në futboll – Unë luaj më mirë kur jam titullar sepse kam më shumë minuta në fushë, por është vendim i trajnerit dhe duhet dëgjuar mendimi i tij. Nuk kam presion kur luaj futboll, jam i ri. Për mua futbolli është gjëja më e bukur për mua, kënaqem dhe jap maksimumin.

Mesazhi për tifozët – Falenderoj tifozët për mbështetjen dhe uroj t’ju shoh të gjithëve në ‘’Air Albania’’ kundër Izraelit.

Ndërkaq, me Kombëtaren është rikthyer edhe Myrto Uzuni, i cili nuk udhëtoi drejt Islandës për shkak të një shqetësimi në kavilje, teksa theksoi se tashmë ndihet gati për sfidën ndaj Izraelit. Uzuni u shpreh se i vetmi objektiv për këtë përballje është fitorja dhe tre pikët, ndërsa vlerësoi edhe ekipin izraelit.

Gjendja aktuale fizike – Kam pasur një shqetësim në kavilje që kur isha në Granada dhe e lëndova sërish në stërvitjet me Kombëtaren, por tani ndihem shumë mirë dhe jam në formën time mendoj.

Çfarë na mungoi në ndeshjen ndaj Islandës? – Normal që të gjithë kërkojmë që të fitojë Kombëtarja, por mendoj që çunat kanë bërë një ndeshje shumë të mirë, pasi edhe një barazim me Islandën, jemi në garë për vendin e parë, që është edhe objektivi ynë.

Sa e ndjejmë presionin në këtë ndeshje? – Presionin e ndjejmë gjithmonë, pasi nëse nuk ka presion, loja nuk bëhet e bukur. Luajmë në shtëpi, ndaj Izraelit, një ekip që mendoj se është më lart se Islanda, por nëse jemi të bashkuar dhe japim maksimumin, fitorja është e vetmja rrugë për të shkuar drejt objektivit tonë.

Biseda me trajnerin? – Trajneri pret gjithmonë më të mirën, të ketë lojtarët më të mirë në dispozicion. Siç e thashë edhe më parë, kemi një ekip shumë të mirë, me lojtarë shumë të mirë. e vetmja gjë është të jemi të bashkuar dhe të fitojmë ndeshjen e t’i japim kënaqësi tifozëve tanë të cilët do të vijnë për të na parë.

Objektivi për sfidën ndaj Islandës – Kur luan futboll, gjithmonë shanset janë të mëdha. Kemi ekip me kualitet, të gjithë lojtarët luajnë në ekipe shumë të mira. E rëndësishme është fitorja, ky është objektivi ynë kryesor. E pamë ndeshjen ndaj Islandës, për mua ishte emocion ta shihja ndeshjen nga televizori sa të isha atje. Tani grupi u plotësua i gjithi, përveç mungesës së Roshit, që ndihet pasi ka qenë gjithmonë aty për ekipin. Por tani mendojmë vetëm për fitore, as barazim, as humbje. Do hymë në fushë me këtë ide.

Exit mobile version