Telegrafi

Dy pistoleta, krehra, municion luftarak dhe kokainë, dy persona bien në prangat e policisë së Tiranës

Policia e shtetit ka bërë të ditur se janë “goditur” dy raste të armëmbajtjes pa leje, gjersa janë sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, krehra dhe municion luftarak, si dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.

Policia ka vënë në pranga dy shtetas.

“Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’, në rrugën ‘Frang Bardhi’, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin E. H., 39 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit, shërbimet e Policisë, i gjetën 39-vjeçarit, një armë zjarri pistoletë me krehër e municion luftarak, dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, shërbimet e Komisariatit të Policisë  në Marqinet kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin M. M., dhe pasagjer shtetasin A. E., 34 vjeç.

“Pasagjeri në momentin e ndalimit, nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, por ka tentuar të largohej dhe gjatë tentativës për tu larguar ka hedhur në tokë, një armë zjarri pistoletë.

Dy armët e zjarrit me krehra e municion luftarak, së bashku me lëndën e dyshuar narkotike kokainë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet më tej.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve E. H., 39 vjeç, banues në Tiranë, dhe A. E., 34 vjeç, banues në Vorë, dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/