Një person është sulmuar fizikisht nga dy të tjerë të dielën në mbrëmje rreth orës 23:30 në rrugën “Bajram e Gursel Sylejmani”, në Ferizaj.
Sipas njoftimit të Policisë bëhet e ditur se rrahja ndodhi për shkak të një parkingu të veturës.
“Me datën 04.08.2024 rreth orës 23:30, policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informatë se në rrugën ‘Bajram e Gursel Sylejmani’ në Ferizaj është një rast i lëndimit trupor.
Policët e rendit menjëherë janë nisur në atë drejtim dhe kanë hasur në personin që ishte sulmuar nga dy persona tjerë, të cilët shkak i një parkingu të veturës, i kishin shkaktuar lëndime trupore dhe i kishin dëmtuar gomat e veturës”, thuhet në njoftim.
Tutje sipas njoftimit, të dyshuarit XH.H ( M/K) i moshës 75 vjeçar dhe SH.H ( M/K) i moshës 48 vjeçar janë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura tjera hetimore.
“Si provë materiale është sekuestruar edhe një kaçavidë, me të cilën dyshohet se është përdorur në këtë ngjarje. Rasti është cilësuar ‘Lëndim i lehtë trupor’ “, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/